SHOQATA E INDUSTRIALISTËVE USHQIMORË
ALBANIAN FOOD INDUSTRY
HOTLINE :      +355 67 604 52 40      e Hë - e Pr  8:00  - 18:00
ADRESA :   Rr. "Gjin Bua Shpata", Pallatet e Aviacionit të Vjetër, Shk. 4, Kati i I, Ap.16, Tiranë

LAJM!
Në lidhje me ndryshimet e menjëhershme në legjislacion, njoftimet e aktiviteteve dhe ngjarjeve, informacionin përkatës dhe të dobishëm. Të jetë i përditësuar! Të përshtatet me kushtet e reja të të bërit biznes me ne.

Opinion mbi shkëlqimin, rënien dhe rigjallërimin e ekonomisë

Opinion mbi shkëlqimin, rënien dhe rigjallërimin e ekonomisë


Nga Alban Zusi, kreu i Qendrës së Eksporteve Shqiptare dhe Shoqatës së Industrialistëve Ushqimorë

Rënia ekonomike dhe rënia e grumbullimit të të ardhurave pa diskutim që është e lidhur edhe me performancën e dobët apo mungesën e metodologjive të institucioneve tatimore. Megjithatë, sado mirë të performojë administrata tatimore, ajo nuk ka se çfarë t’i bëjë rënies reale ekonomike apo faktorëve të tjerë që po përcaktojnë sjelljen informale të agjentëve të tregut.

  1- E kemi thënë që në Janarin e vitit 2018 se rënia e Euros do të sjellë krizë ekonomike në vend. Sot, sektorët ekonomiko – social të lidhur me këmbimin e euros, siç janë eksportet, turizmi, remitancat etj. po fusin në ekonomi rreth 15% më pak, ose e thënë ndryshe në qarkullimin ekonomik vjetor brenda vendit mungojnë afro 400 milion lek.

  2- Gjithashtu në dhjetor të viti të kaluar kemi thënë se ndryshimi i ligjit të TVSH-së për produktet bujqësore primare, i cili efektivisht e ka futur prodhimin bujqësor në pagesë TVSH-je që nga qindarka e parë e shitjes (ndërkohë që bizneset e vogla në qytet taksohen pasi kanë realizuar dy milion lekë xhiro), duke i bërë kështu produktet bujqësore primare thjesht 14% më të shtrenjta, do ta informalizonte të gjithë sektorin agrar, i cili sipas statistikave zë afro 20% të GDP-së. Nëse prodhimeve bujqësore, do t’u shtonim edhe qarkullimin e industrisë përpunuese dhe tregtisë ushqimore, kjo peshë në GDP-në e vendit tejkalohet ndjeshëm. Pra, kjo vendimmarrje e dhjetorit 2018 ka ndikuar si në informalitet po ashtu edhe në rënien e prodhimit vendas, për shkak të uljes së konkurrueshmërisë së dyfishtë nga:

     a) rritja e taksës për produktet bujqësore me 14%

     b) rënia e çmimeve të importit në 15%.

E thënë shkurt, krahasuar me dy vite më pare, sot prodhimet bujqësore vlejnë afro 30% më pak përballë produkteve konkurrente të importit.

  3- Eksportuesve, që janë ndër motorrët kryesorë të ekonomisë shqiptare, përveç 15% të munguar nga kursi i euros, iu mungon edhe TVSH-ja e parimbursuar e 8-9 muajve të fundit. Për këto arsye ata as nuk po investojnë, as nuk po hapin vende pune, madje për herë të parë në 25 vite regjistrojnë rënie të eksporteve.

  4- Edhe ato para që të gjithë taksapaguesit po derdhin në arkën e shtetit, në vend që të rigjallëronin ekonominë duke u rikthyer në investime të cilat e mbajnë paranë brenda vendit, po shkojnë për të financuar projekte infrastrukturore, të cilat më shumë se 70-80% të këtij financimi e ekstradojnë në ekonomitë e huaja. Kjo për faktin se zërat kryesorë në punimet infrastrukturore janë makineri dhe paisje që ne nuk i prodhojmë, janë karburante të cilat ne i importojmë, janë sisteme logjistike dhe sinjalizuese, të cilat prodhohen nga industri jashtë vendit, e rrjedhimisht ajo çfare mbetet në Shqipëri nga punët infrastrukturore janë vetëm fuqia punëtore, edhe kjo e reduktuar, pasi shumica e punës bëhet nga makineritë, kostoja e inerteve (të nxjerra nga lumenjtë tanë) dhe taksat ndaj shtetit, të cilat shkojnë për të rifinancuar të tilla projekte që 80% të parave na i nxjerrin jashtë vendit.

  5- Financime për shërbime publike të munguara apo jo performuese, që nuk po arrijnë të krijojnë vlerë të shtuar me prezencën e tyre në treg përveç se akumulim të parave të shumicës në pak duar. Këto shërbime publike nuk po i rikthejnë ekonomisë dhe taksapaguesve në mënyrë direkte apo indirekte përmes riinvestimeve në të njëjtin sektor apo duke investuar në industri ku ekonomia ka nevojë.

Le të kujtojmë paksa shkëlqimin ekonomik që ndodhi në vitet 2014 - 2016.

Çfarë bëri po e njëjta qeveri?

  1) Mbajti të palëvizur kursin e euros, në nivelet maksimale 140 lekë

  2) Rimbursoi të gjitha borxhet ndaj biznesit, mbi 500 milion euro

  3) Hartoi një paketë të posaçme masash për fasonët

Vetëm nga këto tre masa eksportet shqiptare shënuan rritje dyshifrore të panjohur më parë.

  4) Përjashtoi me ligj nga pagesa e TVSH-së produktet bujqësore. Vetëm në sajë të kësaj mase numri i fermerëve të pajisur me NIPT nga 6,000 arriti në 40,000. Ndërsa raporti i import – eksportit të produkteve bujqësore njohu përmirësimin më të shpejtë në 28 vite duke rënë nga 1 me 7 në 1 me 3 në favor të importeve. Në dy vite u trefishua sipërfaqja e serrave duke kaluar nga 800 në mbi 2,000 hektarë. Pa diskutim që kjo ka qenë periudha më e artë e bujqësisë dhe industrisë ushqimore shqiptare.

  5) Reduktoi investimet publike në infrastrukturë

  6) Për afro dy vjet u pezulluan shërbimet e tipit PPP, të konsideruara si shërbime që nuk krijojnë vlerë të shtuar për ekonominë por thjesht taksojnë operatorët e biznesit apo qytetarët.

Këto politika ekonomike përbëjnë edhe bazën me të rëndësishme të rikonfirmimit politik të qeverisë aktuale, për herë të parë si një forcë politike e vetme, në vitin 2017.

Ekonomia shqiptare nuk ka asnjë lloj problemi me konkurrueshmërinë, përkundrazi për shumë faktorë që nuk po i listojmë këtu, ka shanse të shkëlqyera për të qenë ndër ekonomitë më konkurruese dhe dinamike në të gjithë Ballkanin. Nëse ndërhyhet me disa paketa të shpejta masash korrigjuese, brenda një viti ekonomia e vendit mund të rikthehet në një ekonomi plot optimizëm dhe entuziazëm siç ndodhi në vitet 2013 -2014.