SHOQATA E INDUSTRIALISTËVE USHQIMORË
ALBANIAN FOOD INDUSTRY
HOTLINE :      +355 67 604 52 40      e Hë - e Pr  8:00  - 18:00
ADRESA :   Rr. "Gjin Bua Shpata", Pallatet e Aviacionit të Vjetër, Shk. 4, Kati i I, Ap.16, Tiranë

ERZENI

Country : Albania
E-mail contact : erzeni@erzeni.com
Telephon contact : +355 4 450 0750
Company site : http://www.erzeni.com
PRODUKTET, Përbërisit

QUMËSHT  LOPE – Prodhuar me qumësht të freskët nga fermat e Beratit dhe të Fierit, i standartizuar me 2.6% yndyrë,  i homogjenizuar, i pasterizuar në temp 83˚C për 30 sekonda.

KOS  LOPE- Prodhuar me qumësht të freskët nga fermat e Beratit dhe të Fierit, i standartizuar me 2.5% yndyrë,  i homogjenizuar, i pasterizuar në temp 95˚C i  fermentuar me kultura kosi.

KOS  DELE- Prodhuar me qumësht të freskët dele nga krahina lumit të Vlorës, i standartizuar me 6% yndyrë,  i homogjenizuar, i pasterizuar në temp 95˚C, i  fermentuar me kultura kosi.

GJALPË LOPE - Prodhuar me qumësht të freskët nga fermat e Beratit dhe të Fierit me metodën tradicionale shqiptare.

DJATHË KAÇKAVALL LOPE OSE  DELE -  Prodhuar me qumësht të freskët lope nga fermat e Beratit dhe të Fierit dhe qumësht  dele nga krahina lumit të Vlorës, kulturë djathi, farë djathi, kripë deti.

 DJATHË I BARDHË  DELE OSE DHIE -  Prodhuar me qumësht të freskët dele dhe dhie nga krahina lumit të Vlorës, të pasterizuar, kulturë djathi, farë djathi, kripë deti

GJALPË DELE - Prodhuar me qumësht të freskët dele nga krahina e lumit të Vlorës, me metodën tradicionale shqiptare.

SALCË ERZENI- Produkt kremoz i prodhuar  me proteina qumështi dhe yndyrë bimore


HISTORIKU

Zanafillën e fillimit firma “ERZENI” shpk, e ka në vitin 1992 nga puna e çiftit Isuf dhe Shpresa Begaj, të cilët në ambjente pothuajse familjare, filluan prodhimin për treg të djathit të bardhë. Duke patur si pikësynim rritjen e prodhimit dhe afirmimin në tregun e brendshëm, produktet prodhoheshin me një cilësi mjaft të mirë, ndaj u bënë shumë shpejt konkurues në treg.

Për këtë lindi nevoja e zgjerimit të aktivitetit, i cili nga aktivitet në kushte shtëpie, u kthye në një firmë të liçensuar nga organet kompetente. Gjithashtu lindi nevoja që produktet e prodhuara të dalloheshin nga produktet e prodhuesve të tjerë, ndaj duhej tu vendosej një emër. Familjarisht u ra dakord që firma të mbante emrin e një prej djemve të familjes. Kështu në datën 06.03.1996 me Nr Regj.Treg.14092 u themelua firma “ERZENI” shpk, me administrator Z.Isuf Begaj. Zgjerimi i aktivitetit kërkonte domosdoshmërisht edhe kryerjen e investimeve. Në vitin 1996 investohet në ndërtimin e një godine të re, e cila nga një punishte në kushte shtëpiake u kthye në një baxho, duke përmirësuar kushtet e prodhimit. Në këtë vit prodhohej vetëm djathë i bardhë dhe gjalpë. Kapaciteti përpunues ishte deri në 400 litra qumësht në orë. Në vitin 2000, si rezultat i rritjes së prodhimit dhe krijimi i tregjeve të rinj, lindi nevoja për një investim të ri. Në këto kushte, me kursimet e veta kompania investon për ngritjen e një godine të re, e cila lejonte jo vetëm shtimin e aktivitetetit përpunues deri në 700 litra qumësht në orë, por edhe përmirësimin në mënyrë të ndjeshme të cilësisë së prodhimeve të cilat po pushtonin tregjet, pasi ishin produkte që pëlqeheshin shumë nga konsumatorët.

Në vitin 2001 kompania filloi për herë të pare prodhimin e produkteve blegtorale të reja si kosin në gota, salcën e kosit, gjalpi i paketuar, gjizën, etj duke e zgjeruar tregun e saj në Vlorë. Vlora u bë një gur i fortë themeli për kompaninë tonë, me ulje ngritjet e saj në sezonin e verës, na dha mundësinë dhe kohën që të përballeshim me problemet që dilnin dhe njëkosisht të bënim investimet e duhura. Filluam me një ambjent shitje me qera dhe u përballem vetë me kërkesën e tregut duke na ndihmuar të përcaktonim se për çfarë produkesh kishte nevojë tregu. Ishim të parët nga konkurentët që zëvendësuam kosin me shishe “salce” me shishe një përdorimshe. Futëm qumështin e pa pasterizuar në shishe 1.5 lit me ambalazhe të reja, me krijimin e institucionit të AKU-së ky produkt u zëvendësua me qumështit e pasterizuar në shishe një përdorimshe, shtuam gamen e artikujve te tjere si salcën e kosit në paketime të ndryshme, gjalpin e paketuar etj. Këto produkte u mirëpritën nga konsumatori i cili kërkonte çdo ditë e më shumë.

Lindi nevoja që makineritë dhe paisjet që shërbenin për prodhimin e produkteve të zëvendësoheshin me linja të reja të firmave konkuruese në Europë.

Në vitin 2006 me ndihmën e bankave të nivelit të dytë, pasi ato bënë verifikimet e nevojshme, studiuan tregun, studiuan treguesit financiarë, krijuan besimin se firma “ERZENI” me fondet që ato do të jepnin në formën e kredisë, do ti investonte vetëm për përmirësimin e linjave prodhuese dhe krijimin e ambienteve bashkëkohore. Firma me kredinë që iu akordua, investoi në ndërtimin e një godine të re dhe marrjen e paisjeve bashkëkohore si pastrizator, homogjenizator, separator, çipin për larjen e linjës së prodhimit, dhoma akulli, ambjente të reja frigoriferike, kaldajën dhe depozita për ruajtjen e qumështit të freskët, me kapacitet përpunues deri në 3 000 litra qumësht në orë.

Përmirësimi i teknologjisë së prodhimit bëri që kompania të forconte pozitat në tregjet ekzistuese dhe daljen në tregje të rinj, pasi prodhimet ishin të një cilësie mjaft të lartë.

Bankat e nivelit të dytë u bënë partnerë të rëndësishëm në forcimin e mëtejshëm të kompanisë. Kështu në vitin 2009, u akordua përsëri një shumë në formën e kredisë. E gjithë kredia u përdor për shtesë në godinën ekzistuese dhe blerjen e makinerive të reja të paketimit, nga firma mjaft të njohura të tregut evropian, të cilat përmirësonin ndjeshëm paketimin e qumështit, kosit dhe të dhallës.

Përmirësimi në mënyrë sistematike i kushteve të prodhimit, i rritjes së cilësisë së prodhimeve bëri që kompania të hidhte hapa të sigurtë drejt tregjeve të Tiranës dhe Durrësit. Duke i qëndruar besnikë cilësisë, duke qënë korrekt edhe me klientët, produktet e firmës “ERZENI” u bënë sundues në tregjet e Tiranës dhe Durrësit.

Për të ruajtur sa më mire cilësinë e prodhimeve dhe për tju përgjigjur në kohë furnizimit të klientëve u pa e domosdoshme ndërtimi i ambjenteve frigoriferike në Tiranë. Në vitin 2011 filloi ndërtimi në zonën e Kasharit i ambjenteve frigoriferike, të cilat u ndërtuan me standarde të larta në përputhje me kushtet dhe kërkesat e Bashkimit Europian. Ky investim forcoi pozitat e kompanisë në treg dhe zgjeroi hartën e pikave të shitjes si në Tiranë, Durrës dhe Elbasan duke bëre që produktet e firmës “ERZENI” të jenë konkuruese dhe më të pëlqyera se produktet e firmave simotra.

Në vitin 2011 kompania investon në zëmër të Labërisë në Kotë të Vlorës, për një kompleks tjetër përpunues të prodhimeve të djathit të deles, të dhisë dhe prodhimit të kaçkavallit. Këto produkte janë nga më të kërkuarat në treg. Në këtë mënyrë kompania jo vetëm që forcon akoma më shumë pozitat e saj në jug dhe në Shqipërinë e mesme, por është edhe e vetmja kompani me shumëllojshmërinë më të madhe të përpunimit të produkteve blegtorale. Fabrika e prodhimit të djathrave në Kotë, ka pesë fishuar sasinë e prodhimit që nga momenti hapjes së saj dhe vit pas viti kemi investuar si në pranimin e qumështit, pasterizimin e tij, vaskat e prodhimit të djathit, dhomat e stazhionimit, zgjerimin e hartës së grumullimit të qumështit etj, duke u bërë një ndër fabrikat e mëdha të djathit me kapacitet përpunues deri në 3 000 litra në orë.

Në vitin 2014 kompania me ndihmën e bankave të nivelit të dytë, kryen investimin e madh për përmirësimin e linjës teknologjike të prodhimit, me kapacitet përpunues deri në 12 000 litra në orë. Ky investim shumë serioz për kompaninë, rriti dukshëm nivelin e sigurisë ushqimore, madje duke tejkaluar normat e vendosura nga Bashkimi Europian për Shqipërinë. U zëvendësua komplet blloku i pasterizimit me prodhim të vitit 2014, në të cilin pasterizohet qumështi në temperaturën e duhur në një kohë shumë të shkurtër, bëhet e mundur sigurimi i një qumështi të sigurt e duke ruajtur vlerat ushqyese të tij. Seperatori i cili pastron qumështin nga grimcat shumë të imëta të mbetjeve, por edhe standartizon yndyrën në % e duhur, baktofuga e cila me anë të centrifugimit heq edhe bakteret termorezistente (që i rezistojnë edhe temperaturave të larta ne pasterizim) dhe sporet bakteriale, homogjenizatori i cili me anë të presionit të lartë shpërbën uniformisht në produkt grimcat e yndyrës.  Këto paisje zëvëndësojnë investimin e kryer në vitin 2006. Po këtë vit kompania investon  në ndërtimin e godinës së plastikës  për prodhimin e shisheve tip “Pet”,  duke blerë paisjen e fryrjes së bidonave nga kompani të njohura italiane,  në blerjen e kompresorit të parë në Shqipëri “Oil Free” ( punon pa vaj që mund të kontaminojë produktin). Me këtë investim rrisim ndjeshëm higjenën dhe cilësinë e ambalazhit të produkteve dhe si pasojë edhe cilësinë e tyre.

Në vitin 2015, kompania me ndihmën e një grandi të akorduar nga qeveria shqiptare, investoi në ngritjen e mjediseve frigoriferike me standardet me të larta duke përmirësuar ruajtjen e produktit, por edhe duke krijuar tunele të izoluara ku futen kamionët për ngarkesën, në mënyrë  që produktet të mos  ekspozohen ndaj ambjentit të jashtëm. Po këtë vit kompania investoi në pranimin e qumështit. Pajisja siguron higjenë të lartë për qumështin në pranim, bën ftohjen e menjëhershme të tij më pak se 4ᴼC, mat sasinë e hyrë të qumështit, por edhe merr automatikisht mostër përfaqsuese në çdo 10 litra qumësht, duke rritur kontrollin ndaj lëndës së parë. Gjithashtu po këtë vit, nga firma italiane që prodhoi pajisjet e linjës teknologjike, u zgjerua linja e prodhimit të produkteve të fermentuara, të prodhuar enkas për firmën “Erzeni”. Ky investim përmirësoi ndjeshëm cilësinë e produkteve kos gota, kos shishe dhe dhallë.

 Në fabrikat e prodhimit “ERZENI” është implementuar prej vitesh dhe zbatohet me rigorozitet Sistemi i autokontrollit për Sigurinë Ushqimore, HACCP. Në vitin 2016 kompania ERZENI u çertifikua për Sistemin e Menaxhimit të Cilësisë dhe Sigurisë Ushqimore, ISO 22000-2005 dhe kaloi me sukses auditin e parë të mirëmbajtjes së tij nga auditor i huaj. Gjatë vitit 2017, për rritjen në një shkallë më të lartë të autokontrollit, filloi kryerja edhe e analizave për kontrollin mikrobiologjik të produkteve.

Kërkesa për eksport kemi pasur kryesisht për produktet djath i bardhë, kaçkavall dele, kaçkavall lope, salcë kremoze. Kërkesat për eksport kanë qënë nga Europa por edhe nga Amerika dhe Kina.

Investimet në kompaninë tonë nuk kanë të ndalur, për vitin 2018 kompania ka në planë të investojë rreth 2 (dy) miljon euro në përmirësimin e teknologjisë aktuale, në rritjen e kapaciteteve prodhuese si dhe në zhvillimin e produkteve të reja etje .

Synimi i kompanisë në një periudhë të afërme është eksporti i prodhimeve, pasi ato plotësojnë standardet e sigurisë ushqimore, të parashikuara në legjislacionin e Bashkimit Europian.



CILËSIA

Kompania “ERZENI” është e angazhuar të ofrojë një nivël të lartë cilësor të produkteve dhe shërbimeve , të sigurisë ushqimore, të PRODHIMIT, MAGAZINIMIT dhe SHPËRNDARJES së produkteve me bazë qumështi, produkte të cilat plotësojnë të gjithë legjislacionin shqiptar në fushën e ushqimit, cilësinë që kërkojnë konsumatorët dhe kërkesat e sigurisë ushqimore për konsumatorët tanë.

Përpjekjet tona të vazhdueshme fokusohen në ndërtimin e qëndrueshëm të Cilësisë në të gjithë zinxhirin e proçesit të punës , duke përdorur teknologji të reja në drejtim të prodhimit të një linje të gjerë të produkteve të bulmetit. Sistemet tona janë të dizajnuara që të ketë monitorim dhe kontroll të plotë të proçesit në secilën fazë  të tij, pasi gjithçka është e automatizuar dhe janë përjashtuar gabimet njerëzore.

Ne, sigurojmë që konsumatorët tanë me vlerë të mbeten të kënaqur, çdo herë që ata provojnë produktet tona. Ne e arrijmë këtë duke:

  • Implementuar fuqishëm Sistemin e Menaxhimit të Cilësisë dhe  Sigurisë Ushqimore, aplikimi i të cilit u referohet normave ndërkombëtare UNI EN ISO 9001:2015  “Sistemi i Menaxhimit të Cilësisë”  dhe kërkesave të  UNI EN ISO 22000: 2005, “Sistemi i Menaxhimit të Sigurisë Ushqimore” 

  • Duke punuar vazhdimisht me teknologjitë e fundit 

  • Duke patsur si qëllim kryesor kënaqshmërinë e konsumatorit dhe klientëve

Punohet fort në ndërmarrjen tonë për të krijuar një kulturë të "Cilësisë Totale", ku përmirësimi i vazhdueshëm i njerëzve tanë, proçeseve dhe produkteve të bëhet një përditshmëri. “ERZENI”   herë pas herë sjell ekipe të huaja të cilat bashkëpunojnë vazhdimisht me ne, për arritjen e standardeve  ndërkombëtare dhe praktikave më të mira të cilësisë dhe sigurisë të produkteve.

PRODUKT CILËSOR

“ERZENI” mban masa të rrepta për të garantuar cilësinë dhe sigurinë ushqimore të qumështit për konsumatorët e saj. Çdo sasi e qumështit në hyrje është objekt i testeve të cilësisë dhe sigurisë, duke përfshirë analiza fiziko- kimike dhe analiza mikrobiologjike. Cilësia e qumështit te pranuar dhe dërguar plotëson disa standarde të paracaktuara. Qumështi shkon përmes proçeseve të ndryshme të tilla si filtrimi, seperimi, de ajrimi, homogjenizimi dhe pasterizimi, për të siguruar që ai është i sigurt për konsum njerëzor. Qëllimi ynë për këto masa, është për të siguruar se nuk ka ndotje gjatë përpunimit ose paketimit.

Proçesi i prodhimit

Lënda e parë sigurohet nga fermat e Beratit, Fierit, Lushnjes dhe të Vlorës. Qumështi i marrë nga fermerët është i kontrolluar për të gjitha parametrat e cilësisë që të plotësojnë specifikimet dhe kërkesat e kompanisë.

Qumështi iu nënshtrohet disa hapave të përpunimit para se të arrijë tek konsumatori. Laboratori kryen analizat fiziko- kimike, testet për praninë e antibiotikëve dhe numrin e qelizave somatike dhe përcaktohet destinimi i qumështit. Më pas bëhet filtrimi i qumështit me mikrofiltra, eleminohen mbetjet mekanike, që mund të ndodhen në qumësht dhe bëhet ftohja e tij në temperaturën 4˚C, e cila frenon zhvillimin e baktereve. Pas këtij momenti, qumështi kalon në seperator. (Skremim, Filtrim, Standartizim), i cili filtron qumështin duke eleminuar mbetjet fizike shumë të vogla, duke i shkarkuar ato automatikisht, si dhe standardizon yndyrën në % e dëshiruar sipas produktit. Nga ky krem i veçuar në këtë fazë të prodhimit, do të prodhohet pas pasterizimit të tij dhe maturimit fizik e biokimik, produkti gjalpë. Pas standardizimit të yndyrës qumështi kalon në baktofugë, Gjatë këtij proçesi, realizohet një eleminim i qelizave somatike, baktereve dhe sporeve patogjene që ndodhen në qumësht. Bakteret dhe sidomos sporet bakteriale kanë një dëndësi mjaft më të lartë se qumështi dhe kjo bën të mundur që nëpërmjet forcës centrifugale, këto pjesë të ndahen nga qumështi.  Meqë sporet bakteriale janë të qëndrueshme edhe ndaj temperaturave të larta, proçesi i baktofugimit, bën një plotësim mjaft të dobishëm të proçesit të pasterizimit. Gjatë proçesit të de ajrimit, largohen një pjesë e aromave të padëshiruara nga qumështi. Në proçesin e homogjenizimit, grimcat e yndyrës ndahen në pjesë më të vogla dhe shpërndahen uniformisht në qumësht. Kjo e bën yndyrën në produkt lehtësisht më të tretshme nga organizmi, parandalohet ndarja e kremës ose ajka dhe përmirëson qëndrueshmërinë dhe konsistencën e produkteve të fermentuara. Proçesi kryesor është pasterizimi i cili kryhet me shkëmbim nxehtësie në pak sekonda sipas parimit: temperaturë e lartë dhe kohë e shkurtër pasterizimi, që të garantojmë produkt të sigurt, por të ruajmë vlerat ushqyese  të tij. Deri në këtë pikë proçesi i përpunimit është pothuajse i njëjtë për të gjitha produktet. Pasi kryen të gjitha këto proçese qumështi është gati për paketim, në depozita të mbyllura që e ruajnë qumështin në temperaturë konstante dhe pa asnjë kontakt me ambjentin, duke eleminuar çdo mundësi kontaminimi  deri në paketim. Nëse qumështi do të jetë i destinuar për kos, ai do të fermentohet me kultura bakteriale, do të mbushet në ambalazhin shishe ose gotë dhe do të jetë gati për tregtim ditën tjetër.

 Larjes dhe sterilizimit të paisjeve  i kushtohet një vëmëndje e madhe, pasi qumështi është shumë i ndjeshëm ndaj çdo lloj papastërtie.

Pas çdo paketimi, kryhet larja e pajisjeve me sistemin e automatizuar Ç.I.P të larjes në vend. Të gjitha pajisjet që lahen me ÇIP, si pasterizatori, maturatorët, makineria e mbushjes së produkteve, monitorohen me kujdes gjatë operacionit të pastrimit të tyre, larjes dhe shplarjes. Sistemi Ç.I.P automatik, i pajisur me sistem PLC (Panel Logic Control), mundëson larjen automatike të të gjitha pjesëve në kontakt me produktin. Ndiqen me rigorozitet skedat teknike të pajisjeve për pastrimin e tyre dhe zbatohen me saktësi koha e veprimit, temperatura e ujit dhe përqëndrimi e rradha e subsancave sanifikuese.

Parametrat e kontrollit të proçesit monitorohen, regjistrohen dhe shqyrtohen sipas Planit të Cilësisë për të siguruar produkte pa difekte.

Proçeset e prodhimit krahasohen përkundrejt standardeve më të larta, në drejtim të përmirësimit të vazhdueshëm të infrastrukturës dhe të kërkesave të sistemit.


Paketimi

Materialet e paketimit të përdorura për produktet tona janë të kontrolluara dhe  të pajisura me çertifikatë të përshtatshmërisë së materialit të tyre për kontakt me ushqimin. Materialet e paketimit për produktet tona përdoren për të ruajtur karakteristikat e produkteve si shijen, freskinë dhe cilësitë organo-leptike unike të tyre.  Paketimi është konsideruar si operacion shumë i ndjeshëm, për të  shmangur çdo kontaminim që mund të ndodhë në produktet e përfunduara.


Shpërndarja

“ERZENI” shpk, ka për qëllim parësor: përmirësimin e vazhdueshëm të standardeve të cilësisë së produkteve dhe shërbimeve të ofruara ndaj klientelës. Kjo përfshin:

  1. Garantimin e realizimit të produkteve të sigurta përsa i përket aspektit higjeno-sanitar  dhe ti përgjigjen standardeve specifike të cilësisë të diktuara edhe nga klientela.

  2. Funksionimin e gjurmueshmërisë së produkteve, në mënyrë të tillë që të mund të jenë të gjurmueshëm në treg (që nga grumbullimi i qumështit deri tek konsumatori final).

  3. Zbatimin korrekt të udhëzimeve dhe  normave për magazinimin,  trajtimin dhe ruajtjen e  zinxhirit ftohës gjatë shpërndarjes së produkteve

  4. Higjienë e lartë e automjeteve të transportit

  5. Zbatimin e proçesi sistematik e të planifikuar të shpërndarjes së produkteve

  6. Shpërndarësit kujdesen për produktet deri në dorëzimin e tyre tek shitësit përfundimtarë, duke i sistemuar dhe vendosur në kushte frigoriferike. 


“ERZENI” u premton konsumatorëve të saj se do të vazhdojë të prodhojë produkte cilësore të standardeve më të larta sepse politika jonë e cilësisë është:

“KËNAQËSIA MAKSIMALE E KLIENTËVE PËRKUNDREJT PRITSHMËRIVE DHE NEVOJAVE TË PËRFTUARA, FALË CILËSISË DHE SIGURISË USHQIMORE TË PRODUKTEVE TË OFRUARA”



Dokumentacion për produktet e firmës "Erzeni"
 

Disa nga vlerësimet dhe cmimet e marra nga kompania  "Erzeni"